Press Release 2014

2014

DEA OPEN AIR

International Filmfestival – Saranda 2014  

 

Mbrëmja Gala e ndarjes së çmimeve mbylli edicionin e parë të DEA International Filmfestival në Sarandë.

 

Për pesë ditë Saranda u bë  mikpritëse e organizatorëve dhe e miqve të shumtë realë të DEAs – kineastë, njohës, ikona të kinematografisë dhe personalitete të Shqipërisë, Kosovës dhe Europës, por para së gjithash e miqve të saj virtualë, filmave,  të ardhur nga 49 vende të botës,  duke hedhur kështu hapin e parë drejt shndërrimit të Sarandës në një pikë të re të takimit të kineastëve, producentëve dhe distributorëve të industrisë së filmit.

Arsyet e zgjedhjes së Sarandës si vendlindje e festivalit janë fshehur thellë në historinë  dhe legjendën e qytetit të lidhur me rrënojat e manastirit Ajii Saranda (Dyzet Shënjtorët). Sipas legjendës, 40 legjionarë  kristianë të zënë rob, u vunë me urdhër të perandorit Licinius para alternativës: o të ndërronin fe, o të pranonin vdekjen. Dhe meqë ata refuzuan, u dënuan të vdisnin nga i ftohti. Shpirtërat e tyre të sakrifikuara në të ftohtë, e mbajnë Sarandën edhe sot të ngrohtë gjatë gjithë vitit,  kurse mesazhi i sakrificës së tyre mbetet edhe sot identitar për Sarandën – si një urë takimi e bashkëpunimi midis kulturave në veçanti dhe Lindjes e Perëndimit në veçanti.

Këtë përkim identitar kërkoi dhe me sa duket e gjeti në mikpritje, perceptim dhe mbështetje edhe DEA International Film Festival në Sarandë. Po edhe gjeografia e tematika e filmave konkurrues i ndenji linjës.

Siç ishte paralajmëruar, konkurrimi u ndoq nga disa juri, të cilat i publikuan vlerësimet e tyre në mbrëmjen e 21 qershorit në galanë e organizuar në kinemanë verore te kinema Limani, e cila përmes ekranëve të lidhur drejtpërdrejtë me mjedisin e Galasë u ndoq me interesim nga publiku i gjerë dhe banorët e Sarandës .

Idea e organizatorëve sipas së cilës Saranda falë pozitës gjeografike, klimës dhe pejsazhit të saj të mrekullueshëm i ka të gjitha mundësitë të ndjekë shembullin e Kanës dhe të shndërrohet në pikë takimi ballkanike dhe atraksion shumëplanësh për kineastët e huaj, e cila fillimisht dukej ëndërr tepër e guximshme, duket se lëvizi fort drejt realizimit. Ditët e festivalit treguan, se jo vetëm ëndrrën dhe perceptimin, por edhe shpresën për të ardhmen e ndanë dhe të tjerë, çka u reflektua në konsideratat e miqve të festivalit dhe reagimet mediatike të këtyre ditëve.

“Ishte kënaqësi e veçantë t’i japësh mirëseardhje në këtë qytet Festivalit të Filmit, që mban emrin e bukur të Deas, mbretëreshës së Butrintit antik. – tha, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, zoti Stefan Çipa. – Unë e quaj këtë një parathënie të bukur të këtij sezoni veror për Sarandën, të shprehur me gjuhën e kinemasë. Uroj që kjo nisje e bukur të kthehet në traditë, deklaroi  kryetari i Bashkisë së Sarandës, zoti Stefan Çipa në Mbrëmjen Gala të dhënies së çmimeve të DEA International Filmfestival – Saranda 2014. Mendimin dhe shpresën e kryetarit të Bashkisë së Sarandës e ndanë të gjithë pjesëmarrësit dhe para së gjithash organizatorët, të cilët janë të vendosur, që festivalin të shndërrojnë në një traditë të qëndrueshme.

 

Sipas drejtorit të DEA International Film Festival , Edmond Topi, “në Sarandë, Shqipëria dhe shqiptarët i paraqiten botës me pamjen e tyre më të favorshme – në një mjedis magjepsës dhe me një histori të dëshmuar nga monumente po kaq magjepsëse. Të organizosh këtu takimin e kinemave evropiane dhe më gjerë, do të thotë të përballesh me ta si i barabartë. Në fakt kjo është rruga me të cilën ne mund dhe duhet të tregojmë emancipimin tonë, të dëshmojmë aftësinë dhe veçorinë tonë. Kultura është rruga, ne thjesht duhet të mësojmë të ecim në të, – tha Topi.

 

 

 

DEA Open AIR International FilmFestival

Zyra e shtypit