Press Release 2015

2015

DEA OPEN AIR International Filmfestival

– Sarandë/Gjirokastër 2015 –   

 

Mbrëmja Gala e ndarjes së çmimeve mbylli edicionin e dytë të DEA International Filmfestival në Sarandë

 

Shtatë ditë Saranda dhe Gjirokastra u bënë mikpritës të organizatorëve dhe miqve të shumtë realë të DEAs – kineastë, njohës, ikona të kinematografisë dhe personalitete të Shqipërisë, Kosovës dhe Europës, por para së gjithash e miqve virtualë tëDEAs, të zgjedhur nga 1300 aplikime ardhur nga 75 vende të botës, duke hedhur kështu hapin e dytë drejt shndërrimit të Sarandës dhe këtë vit në një pikë të re të takimit të kineastëve, producentëve dhe distributorëve të industrisë së filmit. Pas 25 vjetësh mungese absolute të kinemasë në këto dy qytete, Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR 2015 në bashkëpunim me Rrjetin e kinemave “Imperial” mundësoi shfaqjen e filmave më të mirë evropianë të dy viteve të fundit në format digjital, DCP, i cili bëri të mundur që Programi i filmit me metrazh të gjatë – në të gjitha komponentët filmikë – të ofrohej në standardet e teknologjisë së kinemasë bashkëkohore.

 

Festivalin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre shumë kineastë, kritikë dhe studjues të huaj të filmit, si Philippe Preux, Drejtor kulture i qarkut të Brukselit dhe nismëtar i Festivalit Mesdhetar në Brukselit, i cili drejton Jurinë e filmit të gjatë; Luigi Campanile, nismëtar i Festivalit të parë italian të filmit në Los Agelos, LAIFA dhe drejtor i Salento International Film Festival, njëkohësisht anëtar i Jurisë së Filmit të gjatë; Carolina Mancini, editore e revistës profesionale të kinemasë së distribuuar në Europë, e cila drejtoi Jurinë e filmit të shkurtër ; Kathrin Bessert, Drejtore audicionesh filmike dhe bashkëdrejtore e festivalit të filmit në Lynen (Gjermani), njëkohësisht anëtare e Jurisë së Filmit të Shkurtër, Hans Kohl, president i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Insbruck, mik i DEAs si edhe Maren Niemayer ( regjisore dhe producente) dhe Ulrich Gaulke (skenarist, regjisor dhe pedagog i teorisë së skenarit), lektorët gjermanë të Akademisë së filmit DEA, ku studentë të kinemasë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ndoqën ligjërata në lëndët: Mjeshtëri skenari dhe Marketim/Manaxhim i idesë filmike.

 

Pjesë e DEA OPEN AIR International Film Festival u bënë dhe sivjet sipas traditës shumë personalitete krijuesish dhe administruesish të kulturës dhe kinemasë shqiptare, si: Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka, Drejtorja e Arkivit të Filmit Shqiptar, Elvira Diamanti, Drejtorja e TV 21 në Kosovë, Afërdita Kelmendi, drejtorja e Qendrës së GjermanishtesPetra Behlke-Campos, regjisorët Dhimitër Anagnosti, Agim Sopi, Leka Bungo, Esat Mysliu, Drejtori i Përgjithshëm i rrjetit të kinemave « Imperial », Altin Prifti, artistët e njohur të skenës dhe kinemasë shqiptare: Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Guljelm Radoja, Zef Mosi, Ndriçim Xhepa dhe personalitete të tjera, përfaqësues nga delegacioni i BE në Tiranë, Kryetari në detyrë i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, Kryetarja e zgjedhur e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, Kryetarja e zgjedhur e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, përfaqësues të tjerë të Bashkisë dhe Universitetit të Sarandës, intelektualë, diplomatë, studentë, artdashës, përfaqësues të biznesit, mediave qendrore dhe lokale, gazetarë me emër, miq dhe dashamirës.

 

Me kartolina audio-vizuale të ftuarit e pranishëm në Mbrëmjen Gala të Ndarjes së Çmimeve si edhe përgjithësisht organizimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR 2015, i përshëndeti Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila përgëzoi organizatorët e DEA OPEN AIR, formuloi mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe njëkohësisht uroi vazhdimësi dhe zgjerim të sigurt,  Kryetari në detyrë i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, i cili e quajti festivalin « realizimin e një ambicjeje të organizatorëve për ta shndërruar qytetin në një qendër të takimit të kineastëve sipas modelit të Kanës, Sarajevës, etj. si edhe një aset të shtuar të qytetit, i cili do të vijojë t’i shtojë atij atraksion si për qytetarët ashtu dhe për dhe turistët » dhe Kryetarja e zgjedhur e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka, e cila « çmoi dhe vlerësoi DEA OPEN AIR si një prej aktiviteteve më të mira të kalendarit kulturor të qytetit » dhe formuloi vullnetin e Bashkisë së re të Sarandës « për ta mbështetur atë dhe në të ardhmen si një aktivitet që i bën jehonë kulturës dhe kinemasë shqiptare në botë dhe shërben si një urë lidhëse midis kineastëve shqiptarë, ature të rajonit dhe Evropës » .

 

Kryetari i QKK, Ilir Butka, e vuri theksin te rëndësia e organizimit të festivaleve të tilla për ringjalljen e traditës së kinemasë në qytetet shqiptare, një sfidë kjo, që mund të kalohet me bashkëpunim dhe mbështetje si nga qendra ashtu edhe nga vetë pushteti lokoal, pasi ndërprerja e gjatë e traditës prodhon vështirësi të natyrave të ndryshme. Kryetarja e zgjedhur e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, e pranishme në aktivitet, përshëndeti organizatorët dhe kineastët e pranishëm, duke e vënë theksin te shtysa, që ky aktivitet i jep zhvillimit të turizmit dhe promovimit të kulturës në të dy qytetet dhe bëri prezente vullnetin e Bashkisë së re të Gjirokastrës për të mbështetur zhvillimin dhe zgjerimin e këtij aktiviteti në qytetin e Gjirokastrës.

 

Siç ishte paralajmëruar, konkurrimi u ndoq nga disa juri, të cilat i publikuan vlerësimet e tyre në mbrëmjen e 10 korrikut në galanë e organizuar në kinemanë e improvizuar Limani, e cila përmes ekranëve të lidhur drejtpërdrejtë me mjedisin e Galasë u ndoq me interesim nga publiku i gjerë dhe banorët e Sarandës .

 

Idea e organizatorëve sipas së cilës Saranda falë pozitës gjeografike, klimës dhe pejsazhit të saj të mrekullueshëm i ka të gjitha mundësitë të ndjekë shembullin e Kanës dhe të shndërrohet në pikë takimi ballkanike dhe atraksion shumëplanësh për kineastët e huaj, e cila fillimisht dukej ëndërr tepër e guximshme, duket se hodhi këtë vit një tjetër hap drejt realizimit. Ditët e festivalit treguan, se jo vetëm ëndrrën dhe perceptimin, por edhe shpresën për të ardhmen e ndanë dhe të tjerë – nga jashtë dhe nga brenda vendit – çka u reflektua në konsideratat e miqve të festivalit dhe reagimet mediatike të këtyre ditëve.

 

Në mbyllje të Galasë së ndarjes së çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR, drejtori i DEAs, Edmond Topi njoftoi publikun, se me ndërmjetësimin e tij, Rrjeti i Kinemave « Imperial», i cili bashkëpunoi edhe për organizimin e edicionit të dytë të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR po verifikon kushtet, për ofrimin e shërbimeve të veta gjatë gjithë vitit në Sarandë.

 

Edicioni i Tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DEA OPEN AIR do të zhvillohet në qershor të vitit 2016 në Sarandë dhe Gjirokastër.

 

DEA Open AIR International FilmFestival

Zyra e shtypit