Press Release 2016

2016

Edicioni i Tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit

DEA OPEN AIR 2016  Sarandë – Gjirokastër.

 

Me mbrëmjen GALA të Ndarjes së Çmimeve u mbyll me sukses në Sarandë edicioni i tretë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air 2016. Në vijim të traditës së të qenit vizitor i njëkohshëm në dy qytetet më të bukura të Jugut shqiptar Sarandë dhe Gjirokastër, organizatorët ndanë këtë vit midis dy qyteteve edhe dy ngjarjet më të mëdha të festivalit: ceremoninë zyrtare të hapjes, e cila u zhvillua në Gjirokastër në Kinemanë e improvizuar Odeon dhe Mbrëmjen Gala të Ndarjes së Çmimeve, e cila u zhvillua si gjithmonë në Sarandë në Kinema Limani.

 

Të pranishëm në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve ishin: Kryetarja e Bashkisë Sarandë, Floriana Koka, Kryetarja e Bashkisë Gjirokastër, Zamira Rami, kineastë, aktoirë e regjisorë, përsonalitete të kulturës dhe biznesit, artistë të zhanreve të tjera të artit, përfaqësues të medias, student, miq dhe dashamirës.

 

Kryetarja e Bashkisë së Sarandës, Floriana Koka vuri në dukje, se Festivali Ndërkombëtar i Filmit DEA OPEN AIR jo vetëm, që është një eveniment i rëndësishëm në kalendarin kulturor të qytetit, por edhe një pikë e rendësishme takimi për personalitetet e artit dhe kulturës vendase me të tjerët e ardhur nga bota. Ajo i uroi festivalit jetëgjatësi dhe premtoi intensifikimin e mbështetjes së bashkisë në të ardhmen jo vetëm gjatë ditëve të festivalit, por edhe në drejtim të motivimit të publikut drejt kinemasë.

 

Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami tërhoqi vëmendjen për faktin, që si festivali ashtu edhe drejtueset lokale në qytetet e tij ia kanë dalë  deri tani të mbajnë premtimet e tyre si kundrejt festivalit ashtu edhe kundrejt publikut, uroi jetëgjatësi dhe interesim akoma më të madh të publikut në të ardhmen.

 

Drejtori i festivalit, Edmond Topi u shpreh, se DEA në tre vjetët e ekzistencës së vet ka arritur të joshë dhe të krijojë rrethin e « amatorëve» të vet, interesi dhe padurimi i të cilëve gëzon dhe motivon çdo vit për më mirë dhe për më shumë. Entusiasmi dhe kurreshtja për prurjet e çdo viti të DEAs, sipas Topit, vijon t’u takojë më shumë profesionistëve – kineastëve dhe njohësve të kinemasë – nga vendi dhe bota. Por megjithë një lloj reagimi të ngadaltë të publikut, ende të pamësuar me rikthimin e kinemasë pas mbi 25 vjet mungese të saj, ai u shpreh se DEA Open Air do të vazhdojë të këmbëngulë në synimin e shpallur për rikthimin e kinemasë dhe interesimit të publikut për të në Jug të vendit. « Ne do të vazhdojmë ta mbajmë gjallë ëndrrën. Ndryshe s’do të ishim këta që jemi », u shpreh ai.

Pas përshëndetjeve të fillimit, tri juritë e festivalit bënë publike vendimet e tyre.

 

Për të marrë pjesë në seksionet e DEA Open Air International Film Festival 2016 aplikuan 2120 filma të shkurtër nga 80 vende të botës, prej të cilëve u përzgjodhën 39 syresh dhe 185 filma me metrazh të gjatë, nga të cilët publikut të gjerë dhe atij të specializuar iu ofruan 7 syresh.

 

Edicionin e tretë të DEA International Film Festival e mbështeti Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të cilat së bashku me Bashkinë e Sarandës dhe Gjirokastrës krijuan atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i dhanë aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja premton dhe realizon.

 

Zyra e shtypit

DEA OPEN AIR