Press Release 2017

2017

Edicioni i Katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit

DEA OPEN AIR 2017 Sarandë

 

 

U mbyll me sukses në Sarandë edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air 2017. Mbrëmja tradicionale gala e ndarjes së çmimeve u zhvillua për herë të parë në kompleksin turistik Bougainville, i cili është edhe njëri prej mbështetësve kryesorë të Dea Open Air 2017.

 

Të pranishëm në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve ishin: Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro kineastë, aktorë e regjisorë, përsonalitete të kulturës dhe biznesit, artistë të zhanreve të tjera të artit, përfaqësues të medias, studentë, miq dhe dashamirës.

 

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro përgëzoi organizatorët për cilësinë e aktivitetit, nënvizoi rëndësinë e festivaleve të filmit për shtrirjen e pranisë së kinemasë edhe atje, ku ajo mungon dhe inkurajoi për të ardhmen, duke argumentuar, se Saranda me historinë, kulisën dhe profiling e saj është vendi i duhur për organizimin e një eventi të tillë.

 

Pas përshëndetjeve të fillimit,tri juritë e festivalit bënë publike vendimet e tyre.

 

Seksionin e filmit të shkurtër konkuronin 35 filma, ndarë në dy nënkategori: në konkurimin ndërkombëtar dhe konkurimin studentor. Gjeografia e shtrirë  e filmave të përzgjedhur kombinohej mirë me qëmtimet dhe vëzhgimet sociale të autorëve të tyre, të cilët i kanë preokupuar sivjet tema universale, të rëndësishme për të gjitha shoqëritë, po aq sa edhe temat specifike, që reflektojnë veçoritë  e një apo disave syresh.  Kështu dukuria e emigrimit, luftës dhe përplasjes së kulturave u vu në fokus në filmat e autorëve, të ardhur nga : Italia, Korea, Spanja Kosova dhe  Kroacia – në konkurimin ndërkombëtar – dhe të autorëve nga Turqia  dhe Kosova , në konkurimin studentor. Marrëdhëniet familjare e dashurore, marrëdhëniet në çift, humbja e të afërmëve, pozita e gruas dhe raportet e familjes me sfera të tjera të marrëdhënieve shqoqërore u vu në fokus nga autorë, të ardhur nga Greqia, Irani, Holanda në konkurimin ndërkombëtar dhe autorët nga Spanja, Brazili,Rusia, Bullgaria , Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria në konkurimin studentor. Jashtë vëmëndjes nuk mbeti as marrëdhënia e ndërlikuar e njeriut me teknologjinë në konkurimin ndërkombëtar me kontributet nga Italia dhe Gjermania, lufta për mbijetesë në përshtatje apo në kundërshtim me normat morale, me kontributet nga Kosova dhe Maroku apo marrëdhënia e komplikuar e individit me veten dhe komunitetin, në kontributet nga Kosova, Danimarka, Turqia, Republika Çeke, Rusia, Serbia dhe Gjermania.

 

Tendenca rritëse e numrit të aplikantëve të DEA OPEN AIR u konfirmua edhe këtë vit. Aplikuesit iu drejtuan festivalit në platformat  Film Freeëay dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë – nga vendet evropiane dhe më gjerë, duke i dhënë pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Pas seleksionimit paraprak, të mbyllur në fund të muajit Mars, në Konkurimin e Filmit me Metrazh të Gjatë për Çmimet DEA u përfshinë 6 filma të ardhur nga: Gjermania, Franca, Suedia, Turqia, Maqedonia dhe Shqipëria. Në fokus të tyre ishte familja – edhe si bashkim forcash për mbijetesë, edhe si marrëdhënie që individin mund ta qetësojë po aq sa ta stresojë,  edhe si dramë mungese, edhe si komunitet në lëvizje.

 

Duke e konsideruar afrimin e audiencave me filmin, si sfidë të Edicionit të Katërt të DEA OPEN AIR, krahas promovimit të aktivitetit dhe produktit filmik në qytet dhe në media, DEA në bashkëpunim me Neptun Saranda organizoi dhe një llotari – me moton “Shiko një film – fito një televizor”, e cila mblidhte dhe vlerësimin e publikut për filmat, duke  shërbyer si bazë për Çmimin e publikut. Pjesëtarët e publikut janë pajisur në hyrje të kinemasë me një biletë llotarie – që shërben njëkohësisht formular vlerësimi për filmin, të cilin e kanë dorëzuar para largimit. Formularët e mbledhur shërbyen edhe si bileta llotarie për zgjedhjen e fituesit, edhe si bazë vlerësimi për Çmimin e publikut të Sarandës.

 

Fitues i llotarisë u shpall Taulant Murtaj, i cili e tërhoqi televizorin e ofruar nga DEA OPEN AIR në bashkëpunim me Neptun Sarandë, live gjatë ceremonisë.

 

Meqë në gjininë e filmit të shkurtër konkuruan sivjet edhe 20 studentë, një juri e përbërë nga studentë të Universitetit Mesdhetar i vlerësoi ato për të ndarë Çmimin DEA për Filmin më të Mirë Studentor. Këtë vit iniciativa e Universitetit Mesdhetar shkon përtej interesimit të studentëve të tij – për ta ndjekur, diskutuar dhe vlerësuar filmin. Sivjet Universiteti Mesdhetar ka shprehur gatishmërinë të mbështesë jo vetëm studentët e vet në rrugën e vështirë drejt filmit, po edhe studentët e filmit, në rrugën e vështirë të krijimit të tij, duke e shoqëruar Çmimin e Jurisë së Studentëve edhe me një mbështetje financiare prej 1000,-Eurosh.

 

 

Për të marrë pjesë në seksionet e DEA Open Air International Film Festival 2017 aplikuan rreth 2000 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër nga mbi 80 vende të botës. Edicionin e katërt të DEA International Film Festival e mbështeti Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të cilat së bashku me Bashkinë e Sarandës krijuan atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i dhanë aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që aktivitetet e këtij lloji ofrojnë.

 

Zyra e shtypit

DEA OPEN AIR