Image Alt

Press Release 2019

U mbyll me sukses Edicioni i Gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit

DEA OPEN AIR 2019 në Tiranë.

Me Mbrëmjen tradicionale Gala, të organizuar në hollin e Universitetit të Arteve në Tiranë, të mërkurën mbrëma u mbyll me sukses edicioni i Gjashtë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air 2019. Të pranishëm në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve ishin: kineastë, aktorë e regjisorë nga Europa dhe bota, përsonalitete të kulturës dhe biznesit, artistë të zhanreve të tjera të artit, diplomatë, përfaqësues të medias, studentë, miq dhe dashamirës.

 

Suksesi i këtij edicioni e konfirmoi ardhjen e DEA OPEN AIR në Tiranë. Programi u mirëprit nga kineastët, studentët dhe publiku, ndërkohë që oferta grarantoi edhe këtë herë një shumëllojshmëri kulturash, stilesh dhe individualitetesh, që imponohen,  – u shpreh Edmond Topi, drejtor i DEA OPEN AIR International Film Festival.

 

Për Drejtoren artistike të DEA OPEN AIR International Film Festival, Mirela Oktrova “Në kushtet e shoqërisë së informacionit, edhe tek ne filmi do të duhej të ishte media prioritare e kohës dhe konsumi i tij një vetkuptueshmëri e kushtëzuar nga nevoja për të mësuar dhe shijuar sa më shumë kulturë, në të gjitha mënyrat, gjuhët, gjinitë apo teknologjitë e mundshme… Po për sa kohë, kjo fatkeqësisht nuk ndodh, festivali e sheh veten si një misionar të kulturës, dhe aftësimit për të komunikuar nëpërmjet filmit,- tha Oktrova.

 

Kupa e parë DEA i takoi Filmit Dokumentar. Në këtë seksion, që programit iu shtua për herë parë këtë vit, 20 filma nga 15 vende të botës, u shfaqën në sallën e kinemasë së Universitetit Mesdhetar në Tiranë, në praninë e kineastëve – miq të festivalit, autorëve dhe studentëve të Universitetit Mesdhetar.

Ofertën filmike në Programin dhe Konkurimin e Filmit Dokumentar  e ndoqi Juria e filmit dokumentar, e përbërë nga: Ami Drozd (Izrael), Kamuran Goranci (drejtues i Divizionit të Arteve në MKRS- Kosovë), Mihal Zoto (pedagog i Komunikimit – Shqipëri),

Çmimi DEA për Filmin më të mirë Dokumentar shkoi për filmin Dritë (Yllka Gjollesha/Suela Bako – Shqipëri 2018)

 

Prania e Filmit të Shkurtër në DEA është pjesë e një traditë të konsoliduar ndër vite – me mbi 150 filma të shkurtër, të ofruar në edicionet paraardhëse. Këtë vit në kuadrin e programit të Filmit të Shkurtër, Experimental dhe Studentor u ofruan 16 filma të Shkurtër nga 14 vende evropiane, prodhime të dy viteve të fundit, në fokus të të cilëve ishte familja dhe marrëdhëniet e ndërlikuara mes brezave dhe modeleve të ndryshme të jetesës brenda saj, emigracioni dhe dëshira për të njohur dhe sfiduar vetvetevn, vështirësitë e integrimit në shoqëri të panjohura dhe rruga e vështirë drejt lumturisë,  sfida e përballjes me terrorizmin  dhe manipulimi mediatik si modus vivendi i kohës sonë.

 

Ofertën filmike në Programin dhe Konkurimin e Filmit të Shkurtër, Eksperimental dhe Studentor  e ndoqi Juria e Filmit të Shkurtër, Eksperimental dhe Studentor e përbërë nga: Theodor Halacu-Nicon (regjisor/producent – Rumani), Monika Lubonja (aktore – Shqipëri), Elis Mataj (pedagog i regjisë – Shqipëri).

Çmimi DEA për Filmin e Shkurtër më të Mirë shkoi për filmin Më fal (Besim Ugzmajli – Kosovë 2018)

 

Në kuadrin e Programit të Filmit eksperimental u ofruan 12 filma nga 8 vende evropiane, të cilët i preokupoi raporti i individit me vetveten dhe komunitetin, me ligjin dhe etik, me të shkuarën, të tashmen, të ardhmen dhe ndërsjelljet e tyre të papritura, me personazhet e njohura dhe gjendjet e panjohura të nënndërgjegjes, me historinë dhe brezin e tretë si dëshmitar të së vërtetës.

Çmimi DEA për Filmin më të Mirë Dokumentar shkoi për filmin Prosphenes (Frank Ravel – Belgjikë 2018)

 

Në Seksionin e Filmit studentor – pjesë e traditës së edicioneve të DEA OPEN AIR, këtë vit u ofruan 15 filma nga 13 vende të botës (Evropa, Amerika, Azia, Afrika), të cilët u fokusuan tek miqësia dhe të papriturat e jetës, qëndrimi social dhe oindividual ndaj punës dhe jetës, raporti i talentit me ecmocionin, raporti me vdekjen, komunitetin në lëvizje dhe lufta për ekzistencë.

Çmimi DEA për Filmin më të Mirë Studentor shkoi për filmin Nadja (Abraham Joseph/Monty Majeed – Republika Çeke 2018)

 

Që edicionin e vet të parë dhe në vijim DEA OPEN AIR International Film Festival ka vijuar të ndajë Çmimin Special të Medias DEA, i cili i vlerëson filmat nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik në formën e sensibilizimit të opinionit publik për çështje të rëndësishme të komunitetit. Filmat konkurues u vlerësuan nga ky këndvështrim nga Juria e medias, e përbërë nga tre gazetarë dhe moderatorë të njohur: Enkel Demi, Mirela Milori dhe Alban Dudushi

Fitues i Çmimit Special të Medias në Konkurimin e Filmit të Shkurtër u shpall:

 

Lajm i rremë (Dimitris Katsimiris – Greqi 2018), ndërsa Çmimi Special i Medias në Konkurimin e Filmit të Gjatë shkoi për: Një tregim Prishtine (Burbuqe Berisha – Kosovë 2019)

 

Programi i filmit me metrazh të gjatë përfshiu filma nga Gjermania, Spanja, Kosova, Italia, Maqedonia dhe Rumania. Në qendër të vëmendjes ishte kriza e personalitetit në rrugën e suksesit, statusi i marrëdhënieve mes të rinjve në adoleshencë, sfida e individit midis traditës, komunitetit dhe dëshirës për vetërealizim, e drejta e njeriut për lumturi pavarësisht statusit, gjinisë, zhvillimit apo formimit, marrëdhëniet e individit me vetveten dhe tema e gjithëgjendur e luftës për ekzistencë dhe shëndet.

 

Konkurimi në Filmin me Metrazh të gjatë u ndoq nga Juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Klaudia Landsberger (Holandë), Elia Zaharia (Shqipëri), Belkis Bayrak (Turqi), Anke Hoevig (Gjermani), Valmira Hyseni (Kosovë).

 

Për çmimin DEA për Aktoren më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë fituese u shpall : Zorica Nusheva (Zoti ekziston. Quhet Petrunija – Maqedoni 2018)

 

Për çmimin DEA për Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, fitues u shpall: Donat Qosja (Një tregim Prishtine – Kosovë 2018)

 

DEA për Kamerën më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, shkoi për : Keneth Oribe (Ligji i Tretë i Njutonit – Spanjë 2018)

 

DEA për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, shkoi për: Emily Atef (Tri ditë në Kiberon – Gjermani 2018)

 

DEA për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, shkoi për: Emily Atef (Tri ditë në Kiberon – Gjermani 2018)     

                         

Çmimi qendror i Edicionit VI të DEA OPEN AIR International Film Festival,  DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë iu akordua  filmit Zoti ekziston. E quajnë Petrunija (Teona Mitevska – Maqedoni 2018)

 

Tradicionalisht festivali ndan dhe çmimin e publikut, për të cilin votojnë shikuesit që ndjekin drejtpërdrejt shfaqjet e filmave. Këtë vit Çmimi i Publikut të Tiranës shkoi për filmin: Arbëria (Francesca Olivieri – Itali 2018)

 

Për herë të parë këtë edicion, organiozatorët e festivalit vendosën, që çmimit dedikuar promovimit të karrierave filmike premtuese, t’i japë emrin e njërit prej miqve më të ngushtë të festivalit dhe njërit prej profesionistëve më të njohur të kameras në Shqipëri. Fjala është për operatorin dhe Drejtorin e mirënjohur të Fotografisë, Leonard Qëndro, të ndarë nga jeta para pak kohësh.

 

Çmimi Leonard Qëndro për një Karrierë premtuese në Kinematografi shkoi për regjisoren rumune Camelia Popa (Merr atë që puth – Rumani 2018)

 

DEA e MIRËNJOHJES për kontribut të spikatur në fushën e kinemasë,  iu akordua regjisorit të shquar shqiptar, Dhimitër Anagnosti.

 

DEA HOMAZH, në shenjë nderimi për veprën dhe pikëllimi për humbjen, shkoi për njërën prej penave më të njohura dhe më prodhimtare të letërsisë shqiptare në përgjithësi dhe asaj të dedikuar kinemasë në veçanti, Kiço Blushi,  të ndarë së fundi nga jeta.

 

Për të marrë pjesë në seksionet e DEA Open Air International Film Festival 2018 aplikuan rreth mbi 1000 filma me metrazh të gjatë, 70 prej të cilëve nga 67 vende të botës u bënë pjesë e festivalit në të gjitha skesionet e tij.

 

Edicionin e Gjashtë të DEA International Film Festival e mbështeti Bashkia e Tiranës, Universiteti i Arteve, Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, të cilat krijuan atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i dhanë aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që aktivitetet e këtij lloji ofrojnë.

 

Zyra e shtypit

DEA OPEN AIR

The cinema is trying to overcome a serious crisis …
This time a global crisis …
This is not the first cinema crisis …
It is not even its first global crisis …

But in contrast to its previous crises – outside it or partially inside it, this
crisis threatened and still threatens the motive of the existence of cinema
in modern times …,
the desire to consume the film together…

fb. ig. yt.