Image Alt

Press Release 2018

DEA OPEN AIR 2018 Sarandë.

 

Këtë fundjavë u mbyll me sukses në Sarandë edicioni i Pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air 2018. Mbrëmja tradicionale gala e ndarjes së çmimeve u zhvillua për herë të dytë në kompleksin turistik Bougainville, i cili është edhe njëri prej mbështetësve kryesorë të Dea Open Air 2018.

 

Të pranishëm në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve ishin: kineastë, aktorë e regjisorë nga Europa dhe bota, përsonalitete të kulturës dhe biznesit, artistë të zhanreve të tjera të artit, diplomat, përfaqësues të medias, studentë, miq dhe dashamirës.

 

Edhe programi i këtij festivali zbuloi sërish një shumëllojshmëri kulturash, stilesh dhe individualitetesh, që imponohen . – u shpreh Edmond Topi, drejtor i DEA OPEN AIR International Film Festival, Në një kohë me kaq shumë dhunë dhe arbitraritet, kultura mbetet e vetmja paqë dhe rrugëdalje… . dhe kontribuesit e shquar të saj të vetmit udhëheqës shpirtërorë. Prandaj ka kaq shumë rëndësi që ne ta përhapim dhe promovojmë atë, – tha Topi

 

Për Drejtoren artistike të DEA OPEN AIR International Film Festival, Mirela Oktrova “të organizosh një festival filmi, nuk mjafton të hartosh një listë filmash e kineastësh, të gjesh vendin dhe të sigurosh burimet financiare. Të organizosh një festival filmi, do të thotë para së gjithash, të përcaktosh dimensionin, ku filmi dhe kineastët takohen me shoqërinë dhe gjurmën, që të gjithë ata do lënë në kulturën e saj. Në themel të këtij festivali ka qenë besimi, se kultura nuk fiton legjitimitet me konformizëm, por me përgjegjësi shoqërore: jo duke u pajtuar me kushtet, por duke e parë veten si promotor zhvillimi shoqëror, tha Oktrova.

 

Festivalin e përshëndeti edhe ish-ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann, i ftuar nderi i këtij edicioni. Ai iu referua rëndësisë së eventeve të tilla në intensifikimin e shkëmbimeve mes kulturave, shumëllojshmërisë së kontributeve artistike në këtë edicion, numrit të madh të autorëve të pranishëm dhe interesit të publikut për të diskutuar me ta pas filmave respektivë, cilësisë së ofertës filmike dhe jo së fundi rëndësisë së eventit për imazhin e vendit dhe për ofertën kulturore të një qyteti turistik si Saranda.

 

Pas përshëndetjeve të fillimit,tri juritë e festivalit bënë publike vendimet e tyre.

 

Në Seksionin e filmit të shkurtër konkuronin 31 filma, ndarë në dy nënkategori: në konkurimin ndërkombëtar dhe konkurimin studentor. Gjeografia e shtrirë  e filmave të përzgjedhur u kombinua mirë me qëmtimet dhe vëzhgimet sociale të autorëve të tyre, të cilët preokupuan sivjet raporti me ëndrrën, manaxhimi i depresionit dhe përpunimi i së kaluarës, raporti midis lirisë dhe sigurisë së individit, marrëdhëniet në çift, korrupsioni dhe njohja e vetvetes, raporti i dinjitetit me mirëqenien, i humanizmit me fanatizmin dhe marrëdhëniet njerëzore në kushte të jashtëzakonshme.

Juria e filmit të shkurtër, që ndoqi këtë konkurim, e përbërë nga: Dominik Streib (pedagog – Gjermani); Kimete Berisha (zyrtare e larte e kinematografisë – Kosovë) dhe Eliodor Markja (regjisor montazhi – Tiranë) ndau këto çmime:

 

Kupa DEA për  Idenë më të Mirë (Çmimi i RTV 21) shkoi për filmin Fatkeqësi – Belgjikë 2017, me regjisorë: Séverine De Streyker dhe Maxime Feyers

Kupa DEA për Montazhin më të mirë iu dha filmit E Jona  – Francë 2017, me regjisor Dominique Preusse.

Kupa DEA për Regjinë më të mirë shkoi për Jules Comes për filmin Shën Hubert – Gjermani, Belgjikë 2017

Kupa DEA për FILMIN e SHKURTËR më të MIRË iu akordua filmit Talia – Toni Bestard – Spanjë 2017

 

Tendenca rritëse e numrit të aplikantëve të DEA OPEN AIR u konfirmua edhe këtë vit. Aplikuesit iu drejtuan festivalit në platformat  Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë – nga vendet evropiane dhe më gjerë, duke i dhënë pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Pas seleksionimit paraprak, të mbyllur në fund të muajit Mars, në Konkurimin e Filmit me Metrazh të Gjatë për Çmimet DEA u përfshinë 6 filma nga Shqipëria, Gjermania, Spanja, Rusia, Portugalia, Zvicra. Në qendër të vëmendjes është mosha e tretë, pozicioni i saj shoqëror dhe të përbashkëtat e të veçantat me brezat e tjerë të shoqërisë, lumturia si status i synuar dhe rrugët e recetat drejt saj, raporti midis konfortit shoqëror dhe dinjitetit, marrëdhëniet e individit me vetveten, psikikën, me komunitetin dhe sfidat e tij dhe tema e gjithëgjendur e mëtimit drejt një jete më të mirë.

 

Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga: Clemens Erbach  (regjisor – Gjermani), Isabelle Welter (producente – Austri), Rusomir Bogdanovski (Skenarist dhe pedagog i skenarit – Maqedoni), Genc Përmeti (skenarist dhe producent – Shqipëri), Luan Kryeziu (regjisor dhe skenarist – Kosovë) , ndau këto çmime:

 

Kupa DEA për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë i shkoi: Luis Diogos për skenarin e filmit Jetë sublime –Portugali 2018

Kupa DEA për Kameran më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë iu akordua operatorëve Ilya Kondratiev, Dmitry Polyakov dhe Alexei Galkin për fotografinë e filmit Reflektim i humbur – Federata Ruse 2018

Kupa DEA për Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë iu dha  aktorit zviceran, Christoph Jungmann për filmin Ftillo jetën tënde – Zvicër/Gjermani 2018

Kupa DEA për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë iu akordua regjisorit gjerman Steffen Hacker për regjinë e filmit Temperament – Gjermani 2018

Kupa DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë shkoi për filmin

Det i zbrazët dhe shterp – Spanjë 2018, të regjisorëve Lucas Parnes, Jesús Serna.

 

DEA OPEN AIR International Film Festival ndan tradicionalisht edhe Çmimin e  Medias, i cili i vlerëson filmat e të konkurimeve nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik në formën e sensibilizimit të opinionit publik për çështje të rëndësishme të komunitetit.

Juria e medias, përbërë sivjet nga: Ylli Sula (drejtor i Çelësi Media Grup – Shqipëri), Kamuran Goranci (drejtues i Divizionit të Arteve në MKRS- Kosovë) dhe Eda Merepeza – gazetare dhe përkthyese, akordoi dy çmime:

 

Çmimi special i Medias në Konkurimin e Filmit të Shkurtër shkoi për filmin Dita kalon, fillon mëngjesi – Lina Erzen – Slloveni 2017

Çmimi special i Medias në Konkurimin e Filmit me Metrazh të Gjatë shkoi për filmin Jetë sublime – Luis Diogo – Portugali 2018

 

Duke e konsideruar afrimin e audiencave me filmin, si sfidë të Edicionit të Pestë të DEA OPEN AIR, krahas promovimit të aktivitetit dhe produktit filmik në qytet dhe në media, DEA ndau edhe këtë vit Çmimin e publikut të Sarandës, i cili këtë vit shkoi për filmin Pola – Edyta Rembala – Poloni 2017 dhe u akordua nga Drejtori i Marrënieve me Publikun në Bashkinë e Sarandës, Thoma Nika.

 

Meqë në gjininë e filmit të shkurtër konkuruan sivjet edhe 15 studentë, një juri e përbërë nga studentë të Universitetit Mesdhetar i vlerësoi ato për të ndarë Çmimin DEA për Filmin më të Mirë Studentor. Këtë vit iniciativa e Universitetit Mesdhetar shkon përtej interesimit të studentëve të tij – për ta ndjekur, diskutuar dhe vlerësuar filmin. Sivjet Universiteti Mesdhetar ka shprehur gatishmërinë të mbështesë jo vetëm studentët e vet në rrugën e vështirë drejt filmit, po edhe studentët e filmit, në rrugën e vështirë të krijimit të tij, duke e shoqëruar Çmimin e Jurisë së Studentëve edhe me një mbështetje financiare prej 1000,-Eurosh.

 

Çmimi i Jurisë së Studentëve iu akordua filmit Respekti i fundit – Reut Dagbar Agami – Izrael 2018.

DEA e MIRËNJOHJES për kontribut të spikatur në fushën e kinemasë,  u akordua këtë vit pas vdekjes – për piktoren grimiore Liljana Tesho.

DEA HOMAZH, në shenjë nderimi për veprën dhe pikëllimi për humbjen, shkoi për drejtorin e talentuar të fotografisë, Leonard Qëndro.

 

Për të marrë pjesë në seksionet e DEA Open Air International Film Festival 2018 aplikuan rreth mbi 1000 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër nga mbi 60 vende të botës. Edicionin e Pestë të DEA International Film Festival e mbështeti Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, të cilat së bashku me Bashkinë e Sarandës krijuan atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota. Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i dhanë aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që aktivitetet e këtij lloji ofrojnë.

 

Zyra e shtypit

DEA OPEN AIR

The cinema is trying to overcome a serious crisis …
This time a global crisis …
This is not the first cinema crisis …
It is not even its first global crisis …

But in contrast to its previous crises – outside it or partially inside it, this
crisis threatened and still threatens the motive of the existence of cinema
in modern times …,
the desire to consume the film together…

fb. ig. yt.